Edhe sot e kësaj dite, katër vjet më vonë, vazhdon të diskutohet shumë zgjedhje e trajnerit Xhani De Biazi për të lënë jashtë Europianit një futbollist si Milot Rashica. Në atë kohë sulmuesi sapo ishte afruar te kuqezinjtë, kishte treguar cilësitë e tij mirëpo tekniku italian mendoi se ishte mirë që t’i siguronte një vend në Francë atyre që kishin kontribuar më shumë te kuqezinjtë.
Së fundmi, menaxheri i Rashicës, Altin Lala në një intervistë për emisionin “Interaktiv”, thekson për shkak të atij vendimi nuk ka lënë gjë pa i thënë De Biazit, ndërsa sa herë e takon e shan dhe vetëm e shan, sigurisht me shaka. Ndër të tjera, Lala beson se nëse Shqipëria do kishte marrë Rashicën në Europian, atëherë do ishte një çerekfinaliste.
“Nëse Rashica do të merrej në Europian, nuk do të kishte më mundësinë që të shkonte te Kosova. Kur nuk e mori Shqipëria, unë i thashë Milotit që vendos me zemër. Ne të gjithë e duam Shqipërinë dhe Kosovën se jemi një. Në të ardhmen shpresojmë që të luajmë për një Kombëtare. Që të luajmë të gjithë bashkë. Vendimi i De Biazit për të lënë jashtë Rashicën në Europian? Nuk kam lënë gjë pa i thënë, nuk mund t’i them këtu në televizor, e kam sharë. Miloti ishte në atë kohë shumë mirë, madje kam menduar që jo vetëm do të grumbullohej në Europian, por edhe do të luante aty. Isha shumë i surprizuar me atë vendim për ta lënë jashtë.Në atë moment ishte lojtari më i mirë që kishte shqiptaria duke parë golat që kishte bërë te Vitese. Për më tepër duke parë Shqipërinë që luante me stilin italian të mbrojtjes, me një lojtar të shpejtë si Miloti, do të shkonte në çerekfinale. Ishte një vendim i gabuar. Po e kam takuar De Biazin edhe në Shqipëri kur luajtëm me Greqinë, Italinë dhe Turqia për të ndihmuar njerëzit që u prekën nga tërmeti. E takova dhe prapë e shava, sa herë e takoj vetëm e shaj. Sigurisht që me shaka dhe i them që nuk merr vesh nga futbolli, nga futbolli i luajtur gjithmonë se me mbrojtjen është mirë ai”, u shpreh Lala.





