9 mars 2015 – Atletiko e Madridit dhe Valencia nuk arritën të nxjerrin një fitues mes tyre në sfidën më të rëndësishme të javës së 26-të të Primeras duke barazuar pas një 90 minutëshi që nuk ndryshon asgjë në renditjen e tyre. Shkodran Mustafi ishte heroi për Valencian që në minutën e 78-të nuk lejoi los colchoneros të shkëputeshin akoma më tepër në renditje. Atletiko që kishte humbur në fazën e parë 3-1, tregoi se ka vështirësi përballë valencianëve, teksa vuajti mesfushën e këtyre të fundit në fillimin e lojës, por me kalimin e minutave ekipi Simeones arriti jo vetëm të drejtpeshonte ritmin por gjithashtu dhe të gjente golin e epërsisë, me Koken, që lëshoi një silur në hyrje të zonës.
Në pjesën e dytë ishte Diego Alves që mbajti në lojë Valencian me një pritje fantastike në të 57-tën, ndërsa në të 70-tën Tiago gaboi sërish golin që do të mbyllte ndeshjen. Kjo i lejoi Valencias, që në të 78-tën të barazonte me Mustafin duke dalë e pathyer nga "Vincente Calderon" në një sfidë direkte për vendin e tretë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





