Situatë aspak e mirë në shtëpinë e Milanit, teksa përveç rezultateve katastrofike të javëve të fundit, nuk mungojnë as problemet e brendshme të skuadrës.Kështu paraditen e sotme, mesfushori Bakayoko u paraqit në stërvitje me rreth një orë vonesë, duke shkaktuar acarim të trajnerit Gattuso, i cili vendosi të grumbullojë skuadrën për 5 ditë, deri në sfidën me Bolognën të dielën.
Justifikimi i mesfushorit francez ishte se e kishte lënë benzina në rrugë, ndaj nuk ishte paraqitur në orar, por kjo nuk e ka shpëtuar nga një gjobë prej plot 90 mijë eurosh, që klubi ka vënë në ngarkim të tij.
Ndërkohë, disa liderë të klubit u përpoqën t’i ndryshojnë mendjen Gattusos për grumbullimin, por nuk ia dolën dhe tashmë do të duhet të mbeten të izoluar deri të dielën kur të përfundojë ndeshja me Bolognën.
Pikërisht përballja me emilianët do të jetë edhe një sfidë mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë, pasi një tjetër rezultat negativ, do të “varroste” njëherë e mirë shpresat për një vend në zonën Champions.





