Laçi dhe Teuta e mbyllën në barazim 1-1 ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, ndërsa ata që në fund festuan ishin kurbinasit falë triumfit në takimin e parë me rezultatin 1-2.

Kështu, Laçi bëhet e para skuadër finaliste e këtij edicioni teksa rikthehen në finalen e këtij trofeu pas katër vitesh mungesë, me herë e fundit që në fakt u poshtën në finale ndaj Skënderbeut.

Sa i takon kronikës së ndeshjes, ajo nisi në malore për Laçin teksa u ndëshkuan në minutën e 16.

Një gafë e mbrojtësit Velkoski rezultoi vendimtare me Rubin Hebaj që nuk fali përballë Dajsinanit.

Megjithatë, kurbinasit provuan të reagonin me shpejtësi, ndërsa goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 44-të me anë të Adeleke.

Ky i fundit lëvizi bukur në zonë, teksa shfrytëzoi edhe një gabim të Todorovskit.

Sa i takon pjesës së dytë, Laçi ishte më superior duke e kërkuar me ngulm golin falë edhe aftësive të Guindo, megjithatë nuk pati më gola dhe kurbinasit festuan arritjen në finale.

Kështu Teuta humbet shansin e fundit për të arritur Europën, pasi nga kampionati është thuajse e pamundur.