Laçi konfirmohet “mace e zezë” për Teutën. Ekipi durrsak nuk ia doli të kthehet me pikë nga transferta kurbinase, pasi u mposht me rezultatin 1-0, falë golit të Mentor Mazrekajt, që sikurse me Tiranën një javë më parë i dhuron tri pikë të çmuara ekipit të tij.

Skuadra e Duros barazon me pikë Teutën, madje e lë pas me golaverazh më të mirë, duke u kthyer mes pretendentëve për titullin. Shkëndijën e parë në këtë sfidë e dha Teuta me Krasniqin në minutën e 13-të, por tentativa e sulmuesit miq, fluturimthi, përfundoi jashtë.

Në të 24-tën, Stivi Frashëri për pak i dhuroi një gol skuadrës kurbinasve. Portieri korçar gaboi në pasim, duke ia dorëzuar Nwabuezes, por gjuajtja e tij u ndal nga Arapi.

Goli që vendosi takimin u shënua në minutën 35-të nga Mentor Mazrekaj, që përfitoi nga një tjetër “dhuratë” e mbrojtjes së Teutës, duke mposhtur portierin Frashëri.

Në fundin e pjesës së parë (43′), Teuta pretendoi për 11-metërsh pas duelit mes Krasniqit dhe Mustës, por për gjyqtarin Xhaja gjithçka ishte e rregullt. Ka protesta për këtë episod nga futbollistët miq.

I afrohet golit të dytë Laçi me Nwabuezen, por sërish sulmuesi vendës nuk ka shënjestrën e duhur, me topin që shkoi ngjitur me shtyllën.

Amerikani me origjinë nigeriani humbi mundësinë për të mbyllur ndeshje, teksa në minutën e 72-të humbi penalltinë e fituar nga vetë pas një dyluftimi me Arapin. Në këtë rast,  Stivi Frashëri ia mohon festën.

Laçi e kontrolloi me qetësi lojën në minutat e mbetura, madje në minutën e parë shtesë pas një harkimi të Mazrekajt, Selmani nuk ia doli të devijonte topin drejt rrjetës në shtyllën e dytë.