Një mision i realizuar me sukses. Laci mposhti 2-1 Teutën në javën e fundit të Superiore duke siguruar mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Një fund sezoni fantastik për skuadrën kurbinase që në 5 ndeshjet e fundit grumbulloi 11 pikë duke u ngjitur në kuotën e 40 të tillave dhe duke evituar rënien një kategori më poshtë.
Në Lac, skuadra e Stavri Nicës luante sfidën e sezonit ndaj një Teute pa pretendime dhe në fund festa ishte e gjitha për bardhezinjtë që falë suksesit 2-1 ia arritën qëllimit.Shumë mungesa në rradhët e të dyja skuadrave sidomos te Teuta ku trajneri Gugash Magani u kishte dhënë hapësira disa lojtarëve të rinj. Dëshira për të fituar ishte shumë e madhe te vendasit dhe sfida nisi me Lacin në sulm. Në minutën e 3-të braziliani Sergio Junior pretendoi për një penallti, por gjyqtari Beqiri lejoi vazhdimin e lojës.
Në të 12-tën Shala provoi nga distanca por nuk gjeti dot portën e Kastratit. Në të 24-tën Laci kishte mundësinë ideale për të marrë avantazhin por goditja e Mensah mori kundërpërgjigjen e Kastratit. Drithërima në portën e kurbinasve në të 32-tën kur Hila vuri në vështirësi Vatën. Me kalimin e minutave Laci u hodh i gjithi në kërkim të golit. Në të 37-tën tentativa e Celhakës përfundoi jashtë, ndërsa 5 minuta më vonë, Arbër Shala humbi mundësinë më të mirë në pjesën e parë për skuadrën e Stravi Nicës duke gabuar me kokë nga fare pranë.
Por goli i vendasve ishte në ajër dhe erdhi në të 43-tën kur një krosim nga këndi u shfrytëzua në mënyrë të shkëlqyer nga Fjoart Jonuzi.I lirë brenda zonës mesfushori i ardhur te Laci në merkaton e Janarit në formë huazimi nga Kukësi goditi saktë me kokë për epërsinë e bardhezinjëve. Në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë, Drilon Musaj për pak sa nuk shënoi edhe të dytin por Kastrati reagoi me këmbë. Pjesa e parë përfundoi me avantazhin 1-0 të Lacit ndërsa fraksioni dytë nisi sërish me kurbinasit me kërkues.
Në të 54-tën, Mensah u ndal nga një mbrojtës durrsak duke humbur një shans të mirë, ndërsa në të 57-tën Kastrati me një pritje fantastike iu kundërpërgjigj Celhakës. Në të 64-tën erdhi edhe befasia me Teutën që surprizoi Lacin, duke barazuar shifrat me Cyrbjen. Por vendasit kishin më shumë motivim dhe më shumë dëshirë, dhe bënë gjithcka për të rigjetur epërsinë. Në të 65-tën Shala, humbi një rast ideal ndërsa në të 68-tën Shala nuk shfrytëzoi një asist perfekt të Celhakës.
E pabesueshme ajo që ndodhi në minutën e 70-të në portën e Teutës, me Kastratin në disa raste por edhe traversën që i thanë jo golit të Lacit. Megjithatë në aksionin pasardhës kurbinasit gjetën golin e clirmit me ganezin Emmanuel Mensah.Në të 79-tëm, Sergio Junior iu afrua golit të tretë por nuk gjeti portën në tentativën e tij nga distanca. Kaq në këtë sfidë pasi deri në fund Laci administroi shumë mirë avantazhin duke marrë një fitore që vlejti gjithë sezonin.