Vedat Muriqit iu desh vetëm një sezon me Fenerbahçen për të arritur të bindë elitën e futbollit europian se ai është i denjë për të luajtur në ligat më të mira të globit. Ish-sulmuesi i Teutës këtë sezon ka arritur të shënojë 15 gola dhe të dhurojë 4 asiste për shokët në 28 ndeshje në total me klubin nga Stambolli.

Gjatë merkatos së dimrit Murinjo u interesua për shërbimet e bomberit të Kosovës, por e pati të pamundur ta shkëpuste nga Fenerbahçe, që u tregua e vendosur në qëndrimin e Muriqit në kampionatin turk këtë sezon. Me hapjen e merkatos së verës, pritet që për sulmuesin të ndërmerret një ofensivë serioze nga Igli Tare.

“Corriere dello Sport” mëson se trajneri Inzagi ka kërkuar një “gjigant” në majën e sulmit, për t’i dhënë më shumë forcë skuadrës romane. Kështu, qendra 195 centimetërsh do të jetë objektivi i parë për sulmin, pas dështimit të operacionit për sjelljen e Zhiru.

Fenerbahçe e nis ankandin e Muriqit nga 20 milionë eurot, teksa nga Anglia bëjnë me dije se Murinjo nuk është dorëzuar për blerjen e 25-vjeçarit.