Lista e krimeve për të cilat akuzohet Laert Haxhiu është e gjatë. Emri i tij, ashtu siç deklaroi këtë të enjte kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku akuzohet se qëndron pas të paktën 16 ngjarjeve kriminale.

Mes vrasjeve për të cilat Haxhiu akuzohet se është organizator dhe porositës janë edhe 2 ekzekutime të ndodhura në Athinë, atë të Lulzim Qorrit, në dhjetor 2018 dhe Dikens Halilit, në tetor 2021.

“Të dhënat e siguruara do t’i dorëzohen autoriteteve greke brenda ditës së sotme”, tha Rrumbullaku.

I pyetur pikërisht për ekstradimin e Haxhiut, Rrumbullaku tha “Jemi në komunikim të vazhdueshme dhe kemi besim që do t’ia arrijmë pavarësisht problematikave ligjore mes dy vendeve”.

Laert Haxhiu ndodhet aktualisht i burgosur në Janinë për veprat penale largim nga vendi i aksidentit dhe prishje e qetësisë publike. Kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në gusht u rrëzua nga Gjykata e Janinës.

Laert Haxhiu është në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjes me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në vitin 2016 ku mbetën të plagosur dy persona.

Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjes.

Sakaq Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.