Banorët e Lagjes 14, në rrugën “Prishtina”, kanë denoncuar për “Durrëslajm” një situatë të rëndë përmbytjeje, ku kanali kullues ka kaluar brenda banesave, duke futur ujin në shtëpi prej më shumë se 12 orësh.
Sipas tyre, familjet janë detyruar të largohen nga kati i parë dhe të qëndrojnë në katet e sipërme, ndërsa uji vazhdon ende të jetë prezent brenda banesave. Pavarësisht telefonatave të vazhdueshme, asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për të sjellë pompa dhe për të larguar ujin.
Banorët theksojnë se e njëjta situatë ka ndodhur edhe vitin e kaluar, pas hapjes së kanalit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Për këto dëme, sipas tyre, nuk është dhënë asnjë dëmshpërblim, ndërsa riparimet janë kryer me shpenzimet e vetë familjeve.
Ata shprehen se autoritetet vendore kanë shkuar në zonë vetëm për të bërë fotografi dhe për të premtuar dëmshpërblime, pa asnjë zgjidhje konkrete. Ndërkohë, kanali i hapur përbën rrezik serioz shëndetësor për banorët, veçanërisht për familjet me të moshuar dhe fëmijë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit dhe marrjen e masave të menjëhershme për mbylljen ose sistemimin e kanalit, për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve.





