Ndalesa e rradhës e “Koncert në karantinë” ishte këtë të mërkurë lagjja nr.4 në Durrës, në sheshin tek pallatet përgjatë rrugës paralel me portin detar.

Të shumtë ishin banorët që e ndoqën koncertin 1 orësh nga dritaret, ballkonet, taracat apo shesh pushimet e pallateve të tyre, disa prej të cilëve kanë ende mjaft të dukshme dëmtimet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Performancat e këngëtarëve Reshit Gjini, Dhimitër Stefa, Kosta Bonshi, Hysni Alushi, Julieta Strefi, Alban Kamenica, Dashamir Mehmeti, Astrit Serjani dhe mjeshtrit të humorit Edmond Halili u përshëndetën me duartrokitje nga banorët e izoluar në shtëpitë e tyre prej koronavirusit.

Afërsia me portin detar bëri që edhe shumë punëtorë të portit detar ta ndiqnin nga afër koncertit. Madje edhe një traget që qëndronte në kalatë përshëndeti këngëtarët me një rënie sirene.

“Sot nisem edhe fushaten e dhurimit te librave per nxenes e studente qe do ja dhurojme neper shtepia atyre qe kane nevoje dhe deshire per te lexuar”,- thotë nismëtari i “Koncert në karantinë”, Ardi Omeri.