I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur specifikisht për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe njëfarë progresi të arritur në këtë drejtim në një intervistë për mediumin serb, “Politika”.

Lajçak tha se pritet që “Kosova më në fund të ecë përpara” drejt themelimit të Asociacionit, dhe Serbia paralelisht “t’i përmbushë pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes”. Ai tha se zbatimi nuk mund të jetë proces i pafund dhe se presin që themelimi i Asociacionit të nisë në fillim të vitit 2024.

“Diskutimet për hapat e veprimet dhe renditjen e tyre janë duke vazhduar dhe ne presim që palët të arrijnë një marrëveshje së shpejti në mënyrë që më në fund të fillojë zbatimi. Është e qartë, megjithatë, se derisa Kosova më në fund pritet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, Serbia pritet të përmbushë paralelisht pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes. Ky proces duhet të jetë transparent dhe i drejtë”, tha Lajçak i pyetur se kur pret që dialogu të rifillojë dhe çfarë është diskutuar në takimet e fundit të veçanta me negociatorët kryesorë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Lajçak tha se nga “bisedimet shtesë” të dhjetorit ka pasur “disa përparime”, ndërsa shton se pret që në vitin 2024 të bëhet përparim në zbatimin e marrëveshjes.

“Në mesin e dhjetorit kam zhvilluar bisedime shtesë me të dyja palët për një sërë çështjesh, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, si dhe pyetje shtesë për sqarimin e draft-statutit europian për krijimin e një shoqatë/bashkësie. Ne diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh specifike në dialog, duke përfshirë personat e zhdukur, energjinë dhe targat. Ka pasur disa përparime në këto çështje. Bisedimet po vazhdojnë dhe pres që në fillim të vitit 2024 të arrijmë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, me kusht që të dyja palët të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik, guximin dhe lidershipin për ta bërë këtë”, tha diplomati europian.

Emisari tha se në tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “e pranuan në parim draft-statutin europian në një takim me presidentin francez, kancelarin gjerman, kryeministren italiane, si dhe presidentin e Këshillit Europian dhe përfaqësuesin e lartë në Bruksel”.

“Gjithashtu u konstatua se nevojitet një punë shtesë në statut përpara se të fillojë zbatimi. Ky është një hap i qartë përpara, dhe ndryshe nga vitet e kaluara, tani jemi duke diskutuar aktivisht për krijimin e një shoqate/komuniteti bazuar në propozimin që kemi paraqitur. Ne kemi pasur tashmë dy runde të bisedimeve të nivelit të ekspertëve me Serbinë për draft-statutin dhe kemi arritur të sqarojmë disa keqkuptime dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të caktuara, por ende nuk i kemi mbuluar të gjitha çështjet. Duke qenë se draft-statuti europian përmban shumë dispozita të detajuara për një gamë të gjerë temash, ne do të duhet t’i vazhdojmë këto diskutime pas pushimeve. Megjithatë, ky nuk mund të jetë një proces i pafund dhe presim që zbatimi i marrëveshjes dhe themelimi i asociacionit/komunitetit të fillojë në fillim të vitit 2024”, tha Lajçak.

Lajçak tha se situata në veri të Kosovës është “e ndjeshme/e brishtë”, ndërsa shtoi se “nuk mund të kemi përshkallëzim, tensione dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve njëkohësisht”. Emisari tha se BE-ja do ta monitorojë situatën.

“Të gjithë pajtohen se qytetarët e veriut të Kosovës, pavarësisht nëse janë nga komuniteti shumicë apo joshumicë, duhet të gëzojnë të mirat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Shumë nga këto çështje do të kanalizoheshin dhe menaxhoheshin përmes Asociacionit. Kjo është një arsye tjetër pse është urgjente që bashkësia të krijohet pa vonesë”, tha Lajçak.

Diplomati theksoi se “dialogu nuk mund të anashkalohet” sepse “është e vetmja platformë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe burimeve potenciale të fërkimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Këtu, ai përmendi deklaratat e fundit zyrtare të Bashkimit Europian dhe konkluzionet e Këshillit Europian.