I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën ka përmbyllur vizitën e tij dyditore në Kosovë, duke zhvilluar takime me përfaqësuesit e partive opozitare dhe me ambasadorët e akredituar në Kosovë, me të cilët ka biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që u është prezantuar në fund të tetorit Prishtinës dhe Beogradit.
Gjatë kësaj vizite, Lajçak nuk u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Përderisa përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkuan që të dinë më shumë hollësi rreth draft-statutit dhe u ankuan se po mbahen “në terr” për shkak të mosprezantimit të dokumentit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pretendoi se në takim opozitarëve u është prezantuar draft-statuti dhe të njëjtin e kanë lexuar në tërësi.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se i dërguari i BE-së gjatë takimit përsëriti se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është në përputhje me Kushtetutën e vendit, por shtoi se “ne, fatkeqësisht, nuk patëm mundësi ta shohim përmbajtjen e tij”.
Lajçak u takua më 7 nëntor me Krasniqin dhe nënkryetarin e LDK-së, Lufti Haziri, dy partive më të mëdha opozitare në vend, si dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë.
Duke folur pas takimit, Krasniqi tha: “Ne kemi nevojë t’i shohim hollësitë e tekstit [draft-statutit] për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë republikën e Kosovës nga idealet e themeluesve të këtij shteti”.
Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se në takim ka përsëritur angazhimin e partisë së tij për dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
“Besoj që angazhimi i tij [Lajçakut] është për t’u vlerësuar dhe ndarja e kohës për LDK-në dhe partitë e tjera opozitare është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi, në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të moszbardhjes së dokumentit, të mosbërjes transparent së paku në parime dhe angazhime apo në orientime që duhet kryeministri i Republikës, si kryenegociator, t’ia ofrojë deputetëve në çfarëdo forme dhe popullit të Kosovës”, tha Haziri.
Por, për dallim nga dy opozitarët e tjerë, kryetari i AAK-së Haradinaj tha se e “ka parë draft-statutin”.
“E kemi lexuar draft [statutin] në tërësi. Ai shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni ua ofron komunave me shumicë serbe, kuptohet, çdo herë duke iu Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, Krasniqi dhe Haziri thanë se i kanë kërkuar Lajçakut që BE-ja t’ia heqë Kosovës sanksionet.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor, për siç tha, shpërfilljen e kërkesave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, ku u ngritën tensionet në fund të majit, pasi kryetarët shqiptarë u vendosën në katër komunave me shumicë serbe – pas zgjedhjeve të prillit të cilat u bojkotuan nga popullata lokale serbe.
Ndërkohë, Lajçaku tha pas takimit me liderët opozitarë në Prishtinë se kishte një ditë “shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet më të fundit në dialogun e lëhtësuar nga BE-ja dhe për rrugën përpara”.
Lajçaku u takua dje me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin tha, në një postim në rrjetin social X, se u pajtua për hapat e ardhshëm dhe për zbatimin e plotë dhe pa vonesa e parakushte të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa, Bislimi tha pas takimit se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.
Lajçaku erdhi në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.
Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.
Kosovës dhe Serbisë i është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet. Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. REL