Betonizohet hapësira përreth Torrës Veneciane për të krijuar rrugën nga do të kalojnë automjetet nga rruga tregtare në drejtim të Shëtitores Taulantia ose në aksin tjetër që të çon drejt Kodër Vilës.
Punimet janë kryer mbrëmjen e sotme dhe DurrësLajm sjell fotot ekskluzive nga zona ku betonieret kanë hedhur tashmë shtresën e betonit.
Megjithëse pak ditë më parë, Shoqëria Civile e quajti si fitore të saj faktin se Gjykata Administrative ndërpreu punimet në të gjithë pjesën e projektit nga Torra Veneciane e deri tek Fly, në vendimin e zbardhur të gjykatës nënvizohej se ndërprerja e punimeve bëhej vetëm në hapësirën ku kanë dalë në dritë objektet e periudhës osmane.
Në një prononcim të tijin për mënyrën se si do të menaxhohet trafiku në këtë zonë, kryebashkiaku Dako thotë: “Rruga tregtare do të vijojë të lidhet me portin e Durrësit, rruga nga Banka Kombëtare do të vijojë të jetë me dy korsi lëvizjeje për sens, poshtë tunelit, për t’u kthyer mbrapsht tek rrethrrotullimi, ose për të vijuar më tej deri në Currila. Tuneli sipas projektit është parashikuar të ndërtohet konkretisht tek kryqëzimi aktual i rrugëve. Dy rrugë dytësore njëra përpara “Fly”-it, dhe tjetra në krah të Torrës, nxjerrin në rrugë automjetet që vijnë nga rruga tregtare në drejtim të portit. Këmbësorëve u jepet prioritet, sepse ata nuk e ndërpresin rrugën e makinave, duke bërë që të lëvizin mbi sheshin që është parashikuar të ndërtohet. Kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka sqaruar të gjithë planin urban të këtij sheshi dhe zgjidhjet që janë parashikuar për trafikun e makinave dhe të këmbësorëve”.





