16 kamionë dhe dhjetëra pasagjerë kanë mbetur pa u imbarkuar në tragetin e kompanisë Adria Ferries, në linjën Durrës-Ankona.
Kontrollet e përforcuara të policisë kufitare, mbrëmjen e sotme, kanë shkaktuar vonesa të shumta në imbarkimin e mjeteve dhe pasagjerëve në portin më të madh në vend.
Megjithëse trageti në fjalë është nisur me 3 orë vonesë nga ora e parashikuar për lundrim, autoritetet shqiptare nuk kanë arritur të kontrollojnë në kohë të gjithë pasagjerët dhe mjetet, që do të niseshin drejt Ankonës.
Frika nga kalimi i ndonjë ngarkese tjetër me lëndë narkotike drejt portit të vendit fqinjë i ka detyruar autoritetet portuale të përforcojnë kontrollet, aq sa edhe pasi kamionët kalojnë në skaner, ato kontrollohen edhe për rreth 30 minuta të tjera nga Policia Kufitare dhe Dogana.
Vonesa të tilla kanë shkaktuar irritime tek pasagjerët dhe drejtuesit e kamionëve, që, pasi kanë pritur për orë të tëra, janë të detyruar të kalojnë natën në portin e Durrësit, në pritje të nisjes një ditë më pas drejt Barit.
Masat e përforcuara të policisë vijnë tre ditë pas arrestimit të 19 doganierëve dhe efektivëve të policisë kufitare në Durrës dhe Qafë Thanë, pas dy ngarkesave me sasi të mëdha drogë të kapura dhe sekuestruara në Ankona nga antidroga italiane.





