Teksa vendi ynë është përfshirë nga protestat pas rritjes së frikshme të çmimeve, Bordi i Administrimit të Karburantit mësohet se do të vendosë çmimet deri më 15 mars.

Çmimi i shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.

Përmes një njoftimi zyrtar nga zyra e Kryeministrisë, bëhet e ditur se përmes aktit normativ do të normohen dhe monitorohen çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.

Njoftim për Media
Në mbledhjen e tij të datës 12 Mars 2022 Këshilli i Ministrave, miratoi Aktin Normativ
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN 8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”.

Nëpërmjet këtij akti normativ normohen dhe monitorohen çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.

Në zbatim të këtij Akti Normativ u mblodh menjehere Bordi i Transparancës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit,.

Në mbledhjen e tij të parë, dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ vendosi:

1.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
2. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
3.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.

Bordi i Transparancës do mblidhet përsëri ditën e martë, datë 15.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.