14 gusht 2015 – Pas 30 ditësh, më në fund janë gjetur dy motrat e zhdukura nga Spitalla.

Orialda Kajtazi, 18 vjeçe dhe Klevisa Kajtazi, 14 vjeçe, janë gjetur në një banesë në qytetin e Vlorës, duke i dhënë fund kështu arratisë së tyre 1-mujore që bëri bujë në media e kudo në opinionin shoqëror për vetë dinamikën e ngjarjes.

Burime zyrtare të policisë së Durrësit konfirmojnë se dy motrat janë larguar nga banesa më 16 korrik me dëshirën e tyre dhe nuk janë shfrytëzuar nga askush.

Nga hetimet e kryera rezulton se të dyja motrat janë autore të zjarrvënies së shtëpisë së tyre para se të largoheshin.

Tashmë Orialda së bashku me Klevisën do të dalin para drejtësisë të akuzuara për dy vepra penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”në bashkëpunim.

Nga ana e Specialistëve për Krimet vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/