Gjendet Ersida Dyrmishi, 30-vjeçarja nga Durrësi nënë e dy fëmijëve, e cila rezultonte e zhdukur prej 25 korrikut 2022.

Policia informon se Ersida mbahej peng nga një person prej disa ditësh në një banesë, i cili e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhenie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.

Mbrëmë u bë denoncimi nga 30-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj, e më pas u krye dhe arrestimi i autorit.

Ai është shtetasi Marius Musaku, 32 vjeç nga Lushnja, i cili është një person i njohur nga uniformat blu, pasi rezulton i dënuar më parë po për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Zhdukja e 30-vjeçares alarmoi familjarët, miqtë dhe kolegët e saj, të cilët iu drejtuan policisë dhe medias duke shpërndarë foton e Ersidës në rrjete sociale, për të kërkuar ndihmë në gjetjen e saj.

Fillimisht policia raportoi se mbajtja peng ndodhi në hotel, por më pas u sqarua se bëhej fjalë për një banesë.

NJOFTIMI I POLICISË

Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas kallëzimit të shtetasve T. D., 36 vjeç dhe E. D., 30 vjeç (bashkëshortë), banues në Durrës, të cilët mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar se shtetasi M. M. i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetases E. D., duke e mbajtur me forcë për disa ditë në një banesë, e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhenie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.

Shtetasja E. D. ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.