Një 40-vjeçar i vrarë me armë zjarri, është gjetur i lidhur këmbë e duar mëngjesin e sotëm në Murqin të Krujës. Trupi i pajetë, i paidentifikuar ende, dyshohet se i përket Gazmend Çollakut i cili u mor peng një natë më parë nga 4 persona të maskuar si policë në Durrës, por nuk ka ende një konfirmim zyrtar.

“Më datë 07.01.2016, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Murqin, Krujë, në rrugë, është gjetur i lidhur këmbë e duar dhe i vrarë me armë zjarri një shtetas i seksit mashkull, i moshës rreth 40 vjeç.

Viktima kishte të veshur një xhup të zi dhe pantallona xhinsa”, njoftojnë burime zyrtare të policisë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin e viktimës dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.