Gjendet trupi i 10-vjeçarit Sevasjan Laska të mbytur në lumin Fan në Mirditë. “DurrësLajm” mëson nga një komunikim i fundit me polumbarin Hair Velaj që ndodhet në vendngjarje, se trupi i vogëlushit u gjet paraditen e kësaj të diele pas shumë ditësh kërkime.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 5 prillit, kur i mituri është mbytur në lumë. Ai rrëshqiti dhe ra në lumë teksa po tentonte të merrte topin që i ra. Banesa e tij ndodhej pranë lumit dhe në momentin që rrëshqiti ai nuk u pa më.

Prej ditësh me radhë vijuan kërkimet nga polumbarët, forcat e policisë dhe banorë të zonës në brigjet e lumit Fan.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të informacionit paraprak të datës 05.04.2022, ku i mituri 10 – vjeçar S.L. banues në fshatin Shtrungaj, Mirditë, u mbyt në lumin Fan, Mirditë, ju informojmë se:

Pas shumë ditë kërkimesh intensive nga Polumbarët e Reneas, forcat policore të FNSH Shkodër, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë si dhe banorët e zonës, sot, rreth orës 12:00, u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë të tij, në afërsi të Diges së HEC-it të lumit Fan, në fshatin Reps, Mirditë.

Trupi i të miturit do të dërgohet pranë morgut të Spitalit Rajonal Rrëshen, ndërsa grupi hetimor do vazhdojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.