8 korrik 2015 – Grabitet filiali i një banke të nivelit të dytë në qendër të qytetit të Durrësit.
Dëshmitarët pranë vendngjarjes tregojnë për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” se kanë parë dy persona të maskuar, duke dalë nga filiali i bankës “Credins”, e cila ndodhet në bulevardin kryesor të qytetit, fare pranë Bashkisë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 13:30, kur dy personat e maskuar janë parë të dalin nga banka dhe kanë ikur me vrap, duke kaluar përballë bashkisë së Durrësit.
Njëri prej tyre u arrestua, ndërsa autori tjetër i dyshuar është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij, bën me dije Policia e Durrësit.
Sipas informacioneve paraprake të uniformave blu, grabitësit të pajisur me maska dhe me motorçikletë, kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash, por fatmirësisht nuk kanë lënduar personat në vendngjarje.
Provat materiale që iu gjetën njërit prej të arrestuarve, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur janë këto:
•një armë zjarri tip automatik kallashnikov,
•një armë zjarri tip pistoletë,
•1 paruke,
•1 motorçikletë,
•1 çantë që shërbente për futjen e kallashit dhe
•1 çantë që shërbente për futjen e lekëve.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/







