Monika Kryemadhi sapo ka zbuluar datën kur do të mbahen zgjedhjet në vend. E ftuar në emisionin “Wake up” në “Top Channel” për të folur rreth jetës së saj private me presidentin e ardhshëm të vendit, Ilir Metën, deputetja e LSI-së ftoi në fund të programit që shqiptarët të votojnë për LSI-në në datën 16 korrik, raporton “DurrësLajm”.

“LSI është një shans për të gjithë, ju ftoj dhe ju të bashkoheni me ne më 16 korrik, se në këtë datë u lanë apo jo?”, iu drejtua Kryemadhi dy moderatorëve Eno Popit dhe Isli Islamit.

Por deri më tani, data e zgjedhjeve nuk është bërë ende e ditur. Kreu i PD-së Lulzim Basha së bashku me kryeministrin Edi Rama, kur dolën nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit rreth orës 01:16, u shprehën për gazetarët se ka një marrëveshje e cila do të detajohet dhe do të bëhet publike në orët e ardhshme, por asnjë nga të dy nuk dha detaje mbi datën e zgjedhjeve.

Me sa duket nuk do të jetë 18 qershori, por 16 korriku, dhe kjo mbetet për t’u zyrtarizuar gjatë orëve në vijim.

S.L.