Në gjykatën e Rrethit të Durrësit ka nisur këtë mesditë seanca e radhës për të ardhmen e projektit “Veliera”.

Bashkia e Durrësit e përfaqësuar nga Drejtori i Urbanistikës, i është drejtuar gjykatës me një shkresë zyrtare për heqjen e sekuestros preventive, ndërsa kjo kërkesë është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj në varësi. Në këtë projekt të ri që Bashkia ka paraqitur, bëhet ruajtja e zbulimeve arkeologjike.

Ndërkohë në seancë ka debat midis gjykatësit dhe prokurores. Gjyqtari Petraq Curri i tha Prokurores se iu dha koha e duhur për të paraqitur dokumentet, ndërkohë që procesi është zvarritur. 

Gjykatësi – prokurores: Nga 16 shkurti, çfarë ke bërë si Prokurori? 

Gazetarja e “DurrësLajm” raporton se gjyqtari Curri ka pyetur prokuroren se për çfarë arsyesh ajo e ka vonuar procesin dhe ekspertizën. Prokuroria urdhërohej me vendim nga gjykata e Apelit të sillte relacionin për dëmin e strukturave arkeologjike të bërë në shesh nga investimi.

Në shkurt të këtij viti, me vendim të gjykatës së Durrësit u bllokuan punimet në zonën arkeologjike A, aty ku bie projekti për t’u ndërtuar një prej këmbëve të “Velierës”. Prej aso kohe, punimet u bllokuan në zonën A, e për pasojë projeti madhor “Veliera” u zhvillua vetëm në një pjesë të tij.