Plagoset me armë në këmbë një i ri nga Shijaku, pas një konflikti çasti.

Sipas informacioneve paraprake policore, ngjarja ka ndodhur këtë mëngjes, rreth orës 08:30, në hyrje të qytetit të Shijakut, ku ka mbetur i plagosur shtetasi B.K. 25 vjeç.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur nga një konflikt çasti, për motive të dobëta.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur të identifikohet autori i ngjarjes, i cili dyshohet se është shtetasi I.N. 30 vjeç, banues në Shijak.

Ai ka përdorur armë zjarri tip pistoletë, ndërsa për të dëmtuarin raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal Durrës.

Me të marrë njoftimin, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe mbledhur provat materiale, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Policia ka shpllaur në kërkim autorin dhe po punon për kapjen e tij.