Në zonën e Kallmit, efektivët e policisë së Durrësit kanë pikasur në det një thes, të cilin pasi e kanë nxjerrë në breg, kanë konstatuar se ishte mbushur me hashash.

Nuk dihet ende se kush e ka hedhur thesin me bimë narkotike dhe sa është sasia e hashashit të sekuestruar. Dyshimet e para të policisë janë se thesi me kanabis mund të ketë rënë nga ndonjë skaf, që po tentonte ta trafikonte lëndën narkotike drejt Italisë.

Burime policore bëjnë të ditur për DurrësLajm se thesi me lëndë narkotike është gjetur në një zonë të pabanuar, që mund të shtytëzohet nga trafikantët për aktivitet të paligjshëm.

Ditët e fundit, Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet e territorit për të evidentuar dhe sekuestruar hashashin e trafikantëve.

Po sot, DurrësLajm njoftoi, se me afrimin e sezonit turistik, Policia Kufitare do të shtojë efektivët në dispozicion dhe qentë antidrogë, si dhe kontrollet në kufi, për të parandaluar çdo lloj trafikimi të lëndëve narkotike.