Dhjetëra subjekte tregtare që nisin kamionët e tyre për eksport përmes portit të Durrësit kanë mbetur të bllokuar në portin më të madh në vend. Këtë mbrëmje në port janë me dhjetëra kamionë në rradhë që presin që skaneri i vetëm, që ekziston në të gjithë portin të rregullohet.

Burime nga Dogana e Durrësit bënë me dije për DurrësLajm se skaneri është prishur rreth një orë më parë dhe kamionët e ngarkuar për eksport presin në rradhë.

Drejtori i Doganës, Artan Sulejmani, tha se është njoftuar edhe Drejtoria e Përgjithshme dhe po sillet një skaner portabël nga Tirana, për të bërë të mundur skanimin e kamionëve, që rrezikojnë të mbesin të bllokuar në port këtë mbrëmje.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se imbarkimi i kamionëve në tragetet e linjës Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona mbyllet pas rreth një ore dhe nuk dihet nëse autoritetet doganore do të kenë mundësi të kontrollojnë të gjithë rradhën e gjatë të kamionëve e trajlerave që presin të nisën drejt Italisë.

Kujtojmë se skanimi i automjeteve në portin e Durrësit është monopol i kompanisë Rapiscan, që e ka marrë këtë shërbim me koncesion për 35 vjet.

K.H.