Arjan Hoxha do të jetë Drejtori i tretë teknik i kërkuar nga opozita në bazë të marrëveshjes Rama-Basha. Hoxha është emëruar në krye të Drejtorisë së Burgjeve dhe kryeministri Edi Rama e ka firmosur sot vendimin.

Hoxha mbante më parë detyrën e ish-shefit të Krimit Ekonomik, që ka arrestuar edhe të atin e Sajmir Tahirit, Bashkim Tahirin të dyshuar për kontrabandë ilaçesh.

Ai u lirua nga detyra gati një muaj pasi PS-ja mori pushtetin bashkë me 7 efektivë të tjerë. Siç deklaronte vetë, lirimi nga detyra ishte pasojë e hakmarrjes politike nga ministri i Brendshëm, i asaj kohe, Sajmir Tahiri. Hoxha zëvendëson në këtë detyrë ish-drejtorin, Miklovan Kopani.

Po sot kryeministri ka firmosur emërimin e Arjan Bylykbashit në postin e drejtorit të ri teknik të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ai zëvendëson në këtë detyrë, Ilirjan Muhon.

Arjan Bylykbashi para vitit 2013 ka mbajtur detyrën e drejtorit të Zyrës së Përmbarimit në Tiranë dhe më pas ka punuar si avokat. 

Kështu Bylykbashi, vëllai i ish-deputetit Aurel Bylykbashit bëhet drejtori i dytë teknik i propozuar nga e djathta dhe pranuar nga kreu i qeverisë Edi Rama, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar më 18 maj, sipas së cilës PD do të kishte një zv.kryeministër, 6 ministra teknikë dhe 5 drejtori kyçe të administratës shtetërore, respektivisht Drejtorinë e Burgjeve, Drejtorinë e Hipotekës, të ALUIZNI-t, të OSHEE-së si edhe Drejtorinë e Agjencisë së Bujqësisë..

Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama firmosi edhe emrin e Ibrahim Morinës në postin e drejtorit të ALUIZNI-t duke zëvendësuar kështu Artan Lamen.