Shpërthen zjarri në një banesë në Durrës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 7, mbrapa Drejtorisë së Policisë, ku zjarri ka përfshirë një apartament që ndodhet në katin e dytë të një pallati.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në aspiratorin e sobës në kuzhinë. Fatmirësisht, në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur banorë në shtëpi. 

Aktualisht në vendngjarje ndodhen policia e rendit dhe forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe po hetohet mbi zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.

Burime nga policia bëjnë të ditur se fillimisht ka qenë e vështirë ndërhyrja për të neutralizuar flakët, prej shpërthimit të mundshëm të bombolës së gazit. Por, situata aktualisht është vënë nën kontroll.