Një shpërthim ka ndodhur në mesnatë në qytetin e Durrësit. Sipas informacioneve paraprake nga policia, shpërthimi ka ndodhur me një sasi të vogël lënde plasëse artizanale në lokalin në pronësi të shtetasit Fetah Mataj.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen 15 në Porto Romano, ndërsa nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Sipas burimeve, mësohet se Mataj është një person me precedentë penalë, pasi rezulton të ketë qenë i dënuar me burg.
“DurrësLajm” sjell dhe fotot e para nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 08.05.2017, rreth orës 00:00, në lagjen nr. 15 Durrës, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse artizanale në lokalin në pronësi të shtetasit F. M. 35 vjeç.
Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” parashikuar në nenin 152 të Kodit Penal.





