Policia Kufitare e Durrësit ka bllokuar mbrëmjen e sotme, rreth orës 18.00, hyrjen e kamionëve që do të imbarkoheshin në tragetin e linjës Durrës-Ankona.

Me një vendim absurd dhe me një justifikim qesharak, drejtori i kësaj policie, Boge Budini, deklaroi për DurrësLajm se ndalimi i kontrollit të kamionëve që do të niseshin drejt Ankonës bëhet sepse Policia Kufitare nuk ka personel të mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë mjetet.

Megjithëse trageti i linjës Ankona-Durrës nuk është ankoruar ende në port, Drejtori i Policisë Kufitare urdhëroi nisjen e kontrollit në skaner të automjeteve që do të imbarkohen në tragetin Durrës-Bari.

Rreth 15 kamionë qëndrojnë të bllokuar në port duke i shkaktuar një dëm të madh biznesit dhe vonesa të pajustifikueshme para kompanive të huaja, tek të cilat do të dorëzojnë mallrat e eksportuara.

Të kontaktuar nga DurrësLajm, përfaqësuesit e bizneseve që penalizohen nga vendimi i Policisë Kufitare deklarojnë se me këto masa totalisht absurde, drejtuesit e policisë ndëshkojnë pa asnjë arsye biznesin duke i shkaktuar dëm ekonomik, vonesa dhe probleme me palën kontraktuese që pret dorëzimin në afat të mallit.

“Punonjësit e mi kanë punuar deri në orën 16.00 për të paketuar mallin dhe bërë gati për eksport. Kemi një kontratë që duhet të respektojmë me palën e huaj, por Policia Kufitare nuk i merr aspak parasysh pretendimet tona dhe me një vendim absurd na penalizon ekonomikisht dhe moralisht. Unë kam kamionë me konfeksione për kompaninë e njohur Max Mara. Të huajt respektojnë pikë së pari korrektësinë në marrëdhënien e biznesit. Në këtë rast, vendimi i Policisë Kufitare hedh poshtë punën tonë të mirë për të ofruar kompani prestigjioze që bashkëpunojnë me tregun shqiptar” thotë biznesmeni.

“Pasi bëjmë procedurën doganore presim mbi 1 orë në radhë për të bërë skanerin dhe pasi kemi mbaruar të gjithë këto sorollatje na kthen mbrapsht policia duke na ofenduar që pini raki te klubi. Kjo është policia që duam?!!!! Këta policë lënë të kalojnë tonelatat e drogës në vendin fqinjë, e më pas nisin të na bëjnë neve karshillëk, biznesit të ndershëm e nuk mbajnë aspak përgjegjësi për drogën që u kalon nën hundë” thotë i revoltuar një shofer kamioni.

“Drejtori i Policisë Kufitare na ndaloi të imbarkoheshim në tragetin e Ankonës, ndërkohë me një vendim absurd po këta kamionë do të kontrollohen po nga këta punonjës të policisë vetëm se këtë herë jo për në Ankona, por për në Bari me të vetmin qëllim dëmtimin e biznesit dhe rritjen e kostove për ne” thotë një tjetër përfaqësues biznesi, i penalizuar nga vendimi i Policisë Kufitare.

Rreth dy javë më parë, shumë kamionë që prisnin të udhëtonin drejt Ankonës u penalizuan për shkak të prishjes së skanerit, dhe shumë prej tyre u detyruan të udhëtonin drejt Barit ose të prisnin 24 orë në port, pasi në portin më të madh në vend kontrolli i të gjithë mjeteve është monopol i vetëm një kompanie dhe varet nga vetëm një skaner, që në rast prishjeje bllokon të gjithë punën.

Një shofer kamioni, i cili ka pritur për shumë orë në rradhe dy javë më parë kontrollin e mjetit pas prishjes së skanerit shprehet i revoltuar për vendimin e sotëm.

“Na duket se këto justifikime të policisë se nuk kanë personel mjaftueshëm bëhen për të mos mbajtur përgjegjësi për sasitë e mëdha të drogës që kalohen përmes portit të Durrësit dhe kapen nga pala italiane” thotë ai.

Durreslajm do të botojë në ditët në vijim shkrime te tjera mbi këtë problematikë, kaosin që mbizotëron në port dhe peripecitë që duhet të kalojne bizneset për të eksportuar mallrat e tyre në vendet e BE-së.

Në shumë raste, konfliktet për interesa të ngushta midis Policisë, Doganës dhe punonjësve të kompanisë private që bën skanimin e mjeteve kanë shkaktuar vonesa tek bizneset, që sorrollaten nga institucionet shtetërore dhe ato private që operojnë në portin më të madh në vend.

E për çdo rast koston e mban mbi shpinë biznesi, që duhet të durojë arbitraritetin e institucioneve dhe në disa raste edhe paaftësinë e tyre për të kryer me efektivitet punën për të cilën paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. 

M.P.