Një person në Durrës ka mbetur i vrarë, pasi është goditur me mjete të forta në këmbë nga fqinji i tij.

Krimi i rëndë ka ndodhur këtë mëngjes rreth orës 09:40, në fshatin Jubë të Sukthit, ku viktimë ka mbetur shtetasi Ludovin Lala, 52 vjeç.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, autori është shtetasi Asti Mica 57 vjeç, i cili për motive të dobëta, ka goditur 52-vjeçarin me mjete të forta, në pjesën e sipërme të këmbës, thuhet në njoftimin e policisë. Ai është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës, ku dhe fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

Nga burimet policore, “DurrësLajm” mëson se dy fqinjët kanë pasur probleme të vazhdueshme për motive pronësie me njëri-tjetrin. Ata konfliktoheshin prej kohësh, derisa mëngjesin e sotëm, debati precipitoi deri në vrasje.

57-vjeçari ka rrëmbyer një prej mjeteve me të cilat punon tokën, dhe e ka qëlluar fort në këmbë fqinjin. Plaga ka qenë e rëndë, dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur dot të mbijetojë.

Autori është shoqëruar në polici, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.