Myrto Uzuni është i pafat. Sulmuesi beratas largohet nga grumbullimi i ekipit kombëtar për shkak të një shqetësimi muskular.
Futbollisti që aktivizohet në Spanjë te Granada, u stërvit gjatë gjithë kohës i diferencuar nga grupi, por në fund nuk arriti të rikuperohet.
Pas diskutimit me stafin mjekësor të kombëtares është vendosur që Uzuni të kthehet te klubi i tij Granada, për të vazhduar fazën e rikuperimit. Në këto kushte ai do të humbas miqësoret me Kilin dhe Suedinë.
Përveç Uzunit, edhe portieri Etrit Berisha nuk do jetë në dispozicion të trajnerit Sylvinho për miqësoren me Kilit.
35-vjeçari ka ndjerë një shqetësim muskulor dhe për këtë arsye është stërvitur në mënyrë të diferencuar. Gjithsesi ai nuk rrezikon të humbas miqësoren e dytë kundër Suedisë, pasi sipas stafit mjekësor të kombëtares do të jetë i gatshëm.
Nën drejtimin e trajneri Sylvinho, kuqezinjtë mbyllën përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” dhe të enjten do të zhvillojnë stërvitjen gjenerale në Parma ku do të presin Kilin.
Atmosfera në ekipi është pozitive, teksa sulmuesi Armando Broja, ka ftuar tifozët t’i mbështesin në stadium.
Shqipëri – Kili do të zhvillohet të premten në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, prej orës 20:45.





