Në të gjitha ditët e para të vitit 2020, Durrësi ka vijuar të lëkundet nga pasgoditjet e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.
Madje një lëkundje me magnitudë 4.2 u regjistrua në orët e para të datës 1 janar 2020, në të njëjtën orë dhe minutë kur një pjesë e Durrësit u shkatërrua nga lëkundja e frikshme me magnitudë 6.4.
Por fatmirësisht sot, datë 7 janar, (të paktën deri në orën 22.50) nëntoka e Durrësit nuk ka regjistruar lëkundje.
E fundit ka qenë në orën 23.59 të datës 6 nëntor, me magnitudë 2.4 dhe epiqendër 2 km larg Vrinës, Durrës.
Ndërkohë, 4 lëkundjet e regjistruara sot në të gjithë vendin kanë pasur për epiqendër Vorën, Lezhën, Korçën dhe Thumanën. Lëkundjet më e forta kanë qenë ato të regjistruar në Thumanë dhe Vorë, të dyja me magnitudë 2.6.
Rreth një muaj e gjysëm pas lëkundjes shkatërrimtare të 26 nëntorit, Durrësi vazhdon të vuajë pasojat e tërmetit të frikshëm që shkaktoi 23 viktima, qindra të plagosur, mijëra shtëpi e apartamente të dëmtuara rëndë apo më lehtë.
Janë rreth 2000 banorë të Durrësit që vijojnë të qëndrojnë në hotele, pasi shtëpitë e tyre janë shpallur të pabanueshme. Qindra të tjera kalojnë netët e acarta të këtij dimri në çadra. Më shumë se 4000 kanë aplikuar për të përfituar bonusin e qirasë, ndërkohë që paratë deri më tani janë shpërndarë vetëm për 1034 prej tyre.
6 janari diskutohej si dita kur banorët e strehuar në hotele duhet të largoheshin prej tyre, por deri tani vetëm një pjesë e vogël ka ikur, pasi shumë banorë nuk kanë gjetur ende shtëpi me qira, apo ato që gjejnë janë me qira shumë të lartë për t’u përballuar prej tyre.
Në Durrës ende nuk ka një statistikë përfundimtare të banesave apo pallateve të deklaruara të banueshme ose jo, pasi akt-konstatimet në terren vijojnë ende.
M.B.





