Durrësi së shpejti do të ketë një monument të ri kulture të kategorisë I.
“DurrësLajm” mëson se së shpejti Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit pritet të shpallë monument kulture fragmentin e murit rrethues të Dyrrahut antik, të shekullit V të e.s., të zbuluar në vitin 2022-2023, gjatë gërmimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”.
Lajmin na e konfirmon arkeologia Iris Pojani, e cila ndoqi të gjithë procesin e gërmimit dhe dokumentoi zbulimet arkeologjike, që dolën në dritë në këtë sit të trashëgimisë kulturore.
Pojani na tregon se prej muajsh tashmë është depozituar pranë Ministrisë së Kulturës i gjithë dokumentacioni përkatës për shpalljen e këtij siti Monument Kulture, i kategorisë I.
Pasi të gëzojë statusin Monument Kulture i kategorisë I pritet të hartohet nga institucionet përkatëse projekti i restaurimit dhe prezantimit të sitit arkeologjik për publikun e gjerë. Projekti do të zbatohet nga drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore.
Zbulimi tek shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi” është nga të rrallat pasuri të nëntokës durrsake të përzgjedhura për t’u shpallur monument kulture, pasi shumë nga sitet arkeologjike të viteve të fundit, të zbuluara nga gërmimet e shpëtimit, ndonëse janë dokumentuar e gërmuar, nuk e kanë pasur fatin të jenë të vizitueshme për publikun, kjo dhe për faktin se një pjesë e tyre janë të vështira për t’u integruar në hartën arkeologjike të qytetit bregdetar.
Aktualisht, siti arkeologjik nuk është i vizitueshëm, por me përfundimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe vënien e saj në funksion pritet të kryhen procedurat e nevojshme për ta kthyer këtë trakt muri rrethues të qytetit në një sit të mirëfilltë arkeologjik, që mund të vizitohet nga qytetarët apo turistët e huaj, të cilët shprehin një interes të madh për të parë nga afër sitet e trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar.
Këtë premtim e bëri kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ndërsa inspektonte nga afër punimet për rindërtimin e shkollës, në qershor të vitit 2023.
“Pranë shkollës së re, është edhe siti arkeologjik i cili do të bëhet i vizitueshëm nga qytetarët dhe turistët e shumtë që vijnë në Durrës”,- shkruante Sako në rrjete sociale.
Fragmenti i murit rrethues mendohet se ndante hapësirën urbane me atë funerare e religjioze të qytetit antik. Muri mendohet të jetë ndërtuar si fillim në shekullin VI para erës sonë, në periudhën arkaike dhe më pas rimodeluar në shekujt IV-III para erës sonë.
Përveç fragmenteve të murit rrethues, në këtë sit u zbuluan edhe shumë objekte arkeologjike, një pjesë e të cilave pritet të ekspozohen në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, kur të përfundojë restaurimi i tij.
Zbulimi i këtij siti arkeologjik ndodhi në mënyrë rastësore, gjatë gërmimeve për rindërtimin e shkollës “Eftali Koçi”, e cila u shemb për shkak të dëmtimeve të mëdha që mori nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ky zbulim u shoqërua me spostimin e projektit të shkollës në një tjetër hapësirë të territorit të saj, ndërsa punimet për rindërtimin e objektit arsimor janë në fazën finale.
Çfarë është Monumenti i Kulturës i kategorisë I
Duke iu referuar ligjit 27, të vitit 2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”:
“Monument kulture i kategorisë I” është ndërtimi me vlera të spikatura dhe me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore, i cili ruhet në tërësinë e përbërësve të tij arkitektonikë dhe teknikë. Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve të jashtme e të brendshme, si dhe zgjidhja planimetrike e funksionale e këtyre monumenteve nuk mund të ndryshohen.
Disa nga sitet arkeologjike dhe historike që mbajnë statusin “Monument Kulture i kategorisë I” në Durrës janë: Amfiteatri, Muret rrethuese të perandorit Anastas, Torra Veneciane, Forumi bizantin etj.
M.B.