Pas më shumë se dy vite pezullim, rinis puna për ndërtimin e “Velierës” në Durrës. Pasi gjykata pushoi çështjen, firma kontraktuese ka nisur punën për përfundimin e projektit 6 milion dollarë.
Pak ditë më parë, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë vendosi në dhomën e këshillimit t’i hapë rrugën përfundimit të projektit “Veliera”, duke pushuar gjykimin e çështjes dhe prishur vendimin e Gjykatës Administrative Durrës.
Në këto kushte, ka nisur puna për përfundimin e këtij projekti të shumë debatuar. Kompania që merret me punimet ka ringritur kantierin e ndërtimit, ndërkohë punëtorët dhe mjetet e rënda të firmës kontraktuese po kryejnë punimet.
Më herët, vendimi 71 i Gjykatës Administrative në Durrës pati lënë të pakënaqur të dyja palët në proces, pasi asokohe, trupi gjykues vendosi të bllokonte punimet në zonën arkeologjike “A” duke pranuar pjesërisht padinë, por shpalli moskopetencë për disa pika të tjera të padisë dhe po ashtu lejoi bashkinë që të vijonte punën në pjesën tjetër të projektit.
Ndërkohë, për të vazhduar projektin "Veliera", nuk do të mjaftonte vetëm pushimi i çështjes dhe prishja e vendimit të Gjykatës Administrative Durrës, ndaj qeveria nxorri "asin" nga mënga duke miratuar me VKM një vendim në muajin dhjetor të vitit të kaluar që konsistonte në mundësinë e ndërtimit edhe në zonën "A" arkeologjike.
Për t'i hapur rrugë zhvillimit të projektit "Veliera", në datë 26 dhjetor të vitit 2018, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që konsiston në zhbllokim të pjesshëm të ndërtimeve në zonën “A” dhe “B”, të konsideruara zona arkeologjike.
Bllokimi i punimeve në projektin “Veliera” erdhi si pasojë e zbulimit të disa rrënojave arkeologjike që dolën në dritë gjatë gërmimeve. Asokohe, shoqëria civile protestoi dhe kërkoi anullimin e projektit me vlerë 6 milion dollarë. Në mars 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestro preventiv” duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për pjesën e projektit që shtrihet në zonën A” të riskut arkeologjik në Durrës.
K.H.





