Ministria greke e Financave ka vendosur heqjen e kufizimeve në tërheqjen e parave cash nga depozitat, çka do të thotë se lirohet edhe më paketa e masave të njohura me emrin Capital Controls, që u vendosën në fund të qershorit 2015.

Me këtë vendim shfuqizohen plotësisht kufizimet në tërheqjen dhe qarkullimin e parave brenda vendit, si dhe fillon heqja graduale e kufizimeve edhe për transfertat e kapitaleve jashtë shtetit.

Kështu që nga data 1 tetor 2018 lejohet tërheqja pa kufizim e shumave të parave nga institucionet bankare në Greqi, bankomate dhe sportele bankash. Do lejohet tërheqja nga institucionet bankare jashtë shtetit deri në shumën 5.000 euro në muaj.

Pas publikimit në gazetën zyrtare rritet limiti i transfertave jashtë shtetit të parave në valutë ose në euro, nga 3.000 euro që ishte deri tani, në 10.000 euro. Domethënë, lejohet që çdo individ të ketë me vete shumën deri 10.000 euro gjatë udhëtimeve të tij jashtë shtetit.

Sa i përket biznesit, rritet nga 40.000 në 100.000 euro në ditë shuma që mund të dërgojnë jashtë shtetit në kuadër të veprimtarisë afariste.