DURRËS, 16 dhjetor 2013 – Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama mbërriti në mbrëmjen e 16 dhjetorit 2013 në aeroportin azerbajxhanas të Bakusë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Azerbajxhanit “AzerTAc”, Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të vendimit përfundimtar të investimeve në “Shah Deniz -2”. Në Aeroportin Ndërkombëtar “Hejdar Alijev”, ku valëviteshin flamujt shtetëror të të dy vendeve, për nder të Kryeministrit të Shqipërisë u rreshtua roja e nderit (në foto). Në aeroport Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama e pritën ministri i Energjisë së Azerbajxhanit Natig Alijev dhe zyrtarë të tjerë. Sipas një njoftimi në FB të shefit të diplomacisë Ditmir Bushati, Ramën e shoqërojnë vetë ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i vlerësuar nga Bakuja zyrtare për dënimin që i bëri pushtimit armen të Nagorni Karbakut, dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





