Në këtë fillim jave, firma ndërtuese e rrugës “Pavarësia” e bëri të qarkullueshme në të dy senset rrugën e plazhit, pas një sërë ankesash të ngritura gjerësisht nga biznesi i vogël dhe nga banorët. Por në krahun nga ana e detit, e cila ju nënshtrua çarjes së rrugës për tubacionin e kanalizimeve, qarkullimi është një tmerr i vërtetë për makinat.
Tri pengesa për ulje shpejtësie në sektorin “Teuta”, janë të pakapërcyeshme nga makinat. Pengesat në formën e kurrizeve të rrugës, janë të gjera e të gjata mbi 2.5 metra, e të larta mbi 40 cm, duke bërë që makinat të prekin kurrizet e rrugës.
“Nëse duan të tallen me popullin, kjo është mënyra më e mirë që kanë gjetur, e turp i madh për atë inxhinier a teknik, që ka bërë të tillë projekt. Turp nëse nuk është e qëllimshme të ndryshohet menjëherë, e nëse e ka bërë gabim pa qëllim tregon që është anadollak në profesionin e tij”, thonë të gjithë shoferët të cilët po heqin të “zitë e ullirit”, duke kaluar tri pengesa të bëra në distancë nga 100 metra secila.
Lartësia e pengesave mbi 40 cm, prek edhe makinat që janë të larta tip 4×4, ndërsa sportivet dhe autoveturat e zakonshme, e kanë të ndaluar qarkullimin në këtë rrugë, pasi kapërcimi i tyre do të thotë defekt i madh në automjet. (shënim i redaksisë).
Zyrtarët tanë shëtisin me fuoristrada, dhe nuk mund ta vënë re këtë “lajthitje” që është bërë, se ndryshe nuk do e kishin lejuar në mënyrë absolute.
K.H.





