TIRANË, 31 korrik 2013 – Ndonëse me vonesë, vetëm më 31 korrik 2013, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) i Universitetit publik Politeknik të Tiranës ka njoftuar për një tërmet të lehtë që ka rënë më 30 korrik ora 16:53:15 GMT ose 18:53:15 (ora e Shqipërisë) me magnitudë M=2.4 dhe epiqendër në thellësinë 7 km. Por nuk është vetëm kjo: shihni faksimilen e sajtit të IGJEUM-it dhe detajin e zmadhuar në hartën nr. 1, fiksuar ora 12 në mesditë, dhe internauti do të vërejë lehtësisht se etiketa shënon se ngjarja sizmike ka ndodhur 5 km në vijë ajrore në veri të qytetit të Kukësit, kurse pika e kuqe e vendndodhjes është në juglindje të Kukësit, jo 5 km por mbi 15 km (shih hartën nr. 2 shigjeta e gjelbër në koordinatat 42.01°V, 20.45°L). Sipas google earth-it, lëkundjet tokës janë lokalizuar në faqen perëndimore të Gjallicës, në lartësinë 1500 metra mbi nivelin e detit, ku në afërsi ndodhet dhe një stan.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





