Gazetarja investigative, Klodiana Lala ka cilësuar Aldo Baren si një nga njerëzit më me ndikim në botën e krimit.
Sipas saj, Bare edhe gjatë kohës që ishte në burg ka pasur ndikim te strukturat më të larta shtetërore, deri në nivel ministri.
“Ka qenë një ish – zyrtar policie, duke e njohur si një person problematik në përballje me drejtësinë. Kur kam shkuar për ta intervistuar në burgun e Peqinit, kam konstatuar që nuk i kishte humbur reflekset. Gjatë gjithë kohës që ne lëviznim në pjesën që na kishin caktuar drejtuesit e burgjeve, ai arrinte të shihte në të gjitha dimensionet e mundshme, pra ruhej në çdo moment të mundshëm edhe brenda burgut.
Dhe ma ka thënë askohe që edhe ushqimet nuk i hante të pakontrolluara. Kishte njerëz që provonin ushqimin dhe më pas hante ushqimet vetë Aldo Bare. Një ndër njerëzit që ka patur ndikim shumë të fortë në botë e krimit. Krimet e tij kanë qenë monstruoze, ka ndikuar shpesh në strukturat më të larta shtetërore. Me Tan Hoxhën siguruam materiale që tregonin se kishte arritur deri në nivel ministri për të patur benefite financiare. Ishte operativ”, tha Lala.