Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje nga operacion i SPAK ndaj një grupi kriminal të shtrirë në Shqipëri dhe jashtë vendit, koka e të cilit është Suel Çela. Lala e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, shpjegoi se hetimi ka nisur pas marrjes së të dhënave nga autoritetet belge dhe franceze, kryesisht të dhëna nga aplikacioni SKY ECC që përdorej nga grupet kriminale.
Lala komentoi edhe masat e sigurisë ndaj dy gazetarëve Hoxha dhe Qyno, duke rezervuar të japë një koment pasi nuk ka ende informacione të qarta për ta, por deklaroi se me Hoxhën ka ndarë prej vitesh të njëjtën redaksi dhe ndihet e keqardhur.
“Është hetim mbi bazën e të dhënave nga autoritetet belge dhe franceze. Të dhënat e SKY ECC. Grupi kriminal që është goditur ka operuar në zonën e Elbasanit dhe vende të ndryshme të BE, si Belgjika. Është shpallur në kërkim kreu i grupit, Suel Cela. Ka patur kontrolle në bazat e Suel Celës. Ai ka qenë në kërkim mbi bazën e dëshmisë së Nuredin Dumanit. Ai thoshte se Suel Cela e kishte kontaktuar për dy vrasje por nuk u realizuan. Rasti i dytë kur është përmendur, është incidenti në policinë e shtetit në hyrje të tregut agro-ushqimor, ku u qëllua ndaj policisë, por nuk u ndëshkua. Ky është rasti i tretë ka disa vepra penale, trafik droge, korrupsion, etj.
Nga 18 masa me burg, një prej tyre duhet veçuar. Një biznesmen shumë i njohur, Marsel ose Bujar Shega. Është me origjinë nga Peqini është arrestuar në Milano. Është kërkuar ndihma e Europol dhe instancave të tjera. Nuk dihet se ku do të shkonte Marsel ose Bujar Shega. Ai del si figurë qëndrore pasi ka pastruar para për grupe të ndryshme. Është administrator i dy kompanive. Ka marrë tendera dhe punë publike me ritëm të lartë, për pastrimin e qyteteve. Ai është aksioner me babain e kryetarit së bashkisë aktual të Beratit, zotit Demo.
Rezulojnë të përfshirë edhe njerëz të drejtësisë, edhe ish zyrtarë të policisë. Ka një masë të re për Dedan Gjonin, ka patur disa funksione. Është arrestuar edhe një ish-gjyqtare e Elbasanit, Pajtime Fetahu. Ajo ishte në arrest shtëpie për lidhje me Franc dhe Hajdar Çopja. Suel Çela është emër shumë i njohur i botës së krimit. Incidenti më i rëndë është ai me policinë e shtetit. Ai ka kapacitet të jashtëzakonshëm financiar.
Konsiderohet si një nga njerëzit q ëka drejtuar fijet në Elbasan. Ka patur lidhje me dhëndrin e ish-kryetarit të Elbasanit, Qazim Sejdinit. Dyshohet edhe për lidhje me një nga grupet më të fuqishme që kanë investuar në Dubai. Në këtë aksion po vijon operacioni për kapjen e personave në kërkim. Për momentin janë 22 urdhëra.
Ndaj kolegëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno, ka masë detyrm paraqitje. Kanë qenë në SPAK. Sigurisht ju e dini që marrja e një mase ndaluese për dy kolegë gazetarë, do të shkaktonte jo vetëm interes të lartë, por sigurisht ka interes të shtuar. Kudo të ndodhte, interesi do të ishte rreth tyre. Ajo që mund të them është se Prokuroria e Posaçme nuk e ka bërë reagimin zyrtar dhe transparencë, për të parë ku është ndaluar.
Me zotin Hoxha kam punuar vite me rradhë dhe jam e prirur të kuptoj së pari, është koleg i yni. Kërkoj nga prokuroria dhe pastaj do ti jap të drejtë vetes të flas për ta. Nuk do doja të nxitohesha edhe për shkak të viteve që kemi ndarë në të njëjtat redaksi. Do të rezervoj të drejtën për të patur reagim lidhur me ta. Nuk më vjen mirë për kolegët, por për asnjë rast sepse bëhet fjalë për median, edhe media ka një mision, janë gazetarë që kanë punuar për kronikën e zezë”, tha Lala.