FRANCE, 11 shkurt 2013 – Më shumë se 20 vjet pas entuziazmit dhe shpresave të mëdha, të shkaktuar nga rënia e murit të Berlinit, Evropa po përjeton një krizë serioze: ekonomike, morale, sociale, politike – mendon luftëtarja e njohur franceze për Evropën e Bashkuar. Bashkimi Evropian dhe sot është në udhëkryq, thotë 78-vjeçarja, zonja Katerinë Lalymier (Catherine Lalumière), ish-sekretare e përgjithshme e Këshillit të Evropës gjatë periudhës së viteve 1989-1994. Kriza botërore e cila ka prekur edhe BE-në, po vë në sprovë disa nga idetë dhe parimet bazë. A do të mbizotërojë refleksi mbrojtës secili të mbyllet në vetvete ose bashkësia do të gjejë forca të shkojë përpara drejt një integrimi më të madh? Për Katerinë Lalymierin rrugëdalja e vetme realiste është që Bashkimi Evropian të forcojë proceset bashkuese, ku në të njëjtën kohë kthehet drejt vlerave pak të harruara bazë të bashkësisë.
“Mbyllja në vetvete, në nacionalizëm, do të jetë një gabim i rëndë, katastrofë për Evropën – paralajmëron Lalymier-i. – Sepse një kthesë e tillë do të marrë me vete të gjitha arritjet tona – modelin tonë të rregullimit shoqëror, të mendimit, mënyrën tonë të jetesës, kulturën tonë me të gjitha anët e saj të mira si respektimi i të drejtave të njeriut, liri, drejtësi sociale, një mirëqenie të qëndrueshme. Përse e gjithë kjo të shkatërrohet? Sepse sot bota është shumë e ndryshuar dhe asnjë shtet, bile dhe Gjermania e fuqishme, nuk mund të mbrojë interesat e saj vetëm. Për herë të parë në historinë e Bashkimit Evropian, i cili akoma është forca më e madhe ekonomike dhe tregtare në botë është i drejtuar përpara sfidës të një tipi të ri, siç janë ndoshta ekonomitë, të cilat zhvillohen jashtëzakonisht shpejt të vendeve të mëdha si Kina, India, Brazili. Kësaj sfide nuk mund t’i rezistojë asnjë shtet evropian veç e veç. Vetëm një Bashkim Evropian i reformuar edhe më i fortë është në gjendje të mbrojë interesat e popujve evropian. Kjo duhet të kuptohet shumë mirë dhe të përshtatet projekti evropian ndaj realiteteve të shekullit të XXI. Puna është e madhe”.
Evropa ka nevojë nga një Rilindje të re, është e bindur drejtoresha e tanishme e “Shtëpisë së Evropës”, organizatë joqeveritare, e cila mund të jetë hallka lidhëse midis qytetarëve dhe Bashkimit Evropian. Euro-skepticizmi, dëshmitarë të të cilit jemi, është i shkaktuar deri në një shkallë të madhe nga kriza, të cilën po e përjetojmë, më e thellë pas asaj të vitit 1929, thotë zonja Lalymier. Por ajo është e shkaktuar jo nga ajo, të cilën e bëjnë institucionet evropiane, por nga ajo të cilën ato nuk e bëjnë, mendon ajo. Njerëzit presin që Bashkimi Evropian t’i mbrojë. Në fakt ata nuk e “duan më pak Evropën”, apo më shumë.
Sipas fjalëve të saj një nga shkaqet për pamjen e keqësuar të Bashkimit Evropian mes qytetarëve të zakonshëm janë 30 vjetët e fundit të tërheqjes pas ultra-liberalizimit ekonomik.
“Pamja e krijuar e Bashkimit Evropian është kryesisht ekonomike. Njerëzit e shikojnë si një treg të madh të lirë, një pamje të ftohtë materialiste pa shpirt, pa ngrohtësi. Shumë evropianë dënojnë liberalizimit e tepruar me de-rregullimin, gara për fitime gjithnjë e më të mëdha, dominimi financave mbi industrinë. Ultra-liberalizmi i shkaktoi goditje të mëdha pamjes së Evropës në mendimin shoqëror. Për shumë njerëz ai u kthye në një dogmë të ftohtë, në amulli ndaj drejtësisë sociale dhe vlerave humane.
Znj. Lalymier përshëndeti Çmimin Nobel për paqe që iu dha Bashkimit Evropian si krejtësisht të merituar. “Pas 30 vjetëve të një konkurrence të madhe, e cila në disa raste arrin deri në konflikte të mëdha, popujt evropian ndryshuan krejtësisht këtë paradigmë dhe pas vitit 1945 filluan të jetojnë në paqe dhe bashkëpunim”, nënvizon ajo.
IDENTITETI EVROPIAN
A ekziston kultura evropiane dhe identiteti evropian? Për Katerinë Lalymierin nuk ka asnjë dyshim se kultura e përgjithshme evropiane ekziston dhe se është vendimtare për Evropën e re.
Cilat janë elementet e saj? Në themel qëndron një tufë e tërë prej idesh dhe vlerash, të cilat të gjithë në kontinentin e vjetër i ndajmë, mendon zonja Lalymier. Mes tyre një vend bazë kanë të drejtat e njeriut, të shtrira në Kartën për të drejtat themelore të njeriut në Bashkimin Evropian. Në kulturën tonë është shtrirë dhe përfytyrimi i përgjithshëm për demokracinë, e lindur pikërisht në kontinentin tonë. I njëjtë është dhe përfytyrimi për familjen dhe jetën familjare. Të shumta janë dhe tiparet tona të përbashkëta në fushën e artit, sepse të gjithë ne jemi trashëgimtarë të 3 feve të Lindjes së Mesme, të kulturave të zhvilluara të Greqisë së Lashtë dhe të Perandorisë Rome. Këto tipare të përbashkëta mund të vihen re kudo. Për shembull në rregullimin e qyteteve tona.
“Ata prej nesh, të cilët kanë udhëtuar më tepër, e dinë këtë. Kur unë kthehem prej SHBA-së për shembull, ku traditat janë fare të tjera, kur shkoj në cilindo qytet të Evropës, menjëherë ndihem si në shtëpi. Çdo gjë më është e afërt – ve në dukje Katerinë Lalymier. – Një nga befasitë e mëdha për mua, kur ra muri i Berlinit, ishte kur zbulova se qytetet në lindje janë të ndërtuara mbi të njëjtin parim si këto në perëndim. Unë prisja të shikoj një rregullim krejt të ndryshëm të qyteteve, në të cilat të ndihem si e huaj. Pikërisht e kundërta, menjëherë e ndjeva veten si në shtëpi, sepse kudo qytetet tona kanë një formim dhe mendim të përbashkët.”
Mes tipareve, të cilat e veçojnë kulturën evropiane, Katerinë Lalymier dallon kureshtjen dhe hapjen drejt botës së jashtme, tolerancën drejt larmisë kulturore, të cilën e konsiderojmë si pasuruese. “Prej kohërave të lashta evropiani ka udhëtuar – rikujtoi ajo. – Ne jemi kureshtarë, të ditur, të cilët besojnë se, njohja nuk ka fund, se ajo mundet përherë të pasurohet, të zgjerohet. Përparimi është një tipar i rëndësishëm dallues të kulturës evropiane. Ne besojmë se, progresi është i mundur dhe për të mirë. Ndikimi i fortë i kulturës evropiane mbi botën i dedikohet pikërisht kësaj fryme të çiltërsisë, të kureshtjes ndaj të tjerëve, të kuptimit se, progresi është i mundur.”
Për znj. Lalymier ky identitet i përgjithshëm kulturor është shumë i vlefshëm: “Ky identitet kulturor evropian është ajo pjesë lidhëse, e cila e forcon konstruktin evropian. Ajo është mbase mirësia jonë më e vlefshme. Mirësi, e cila ka rrezik të shpëlahet në procesin e globalizimit. Në qoftë se duam ta ruajmë këtë mirësi, na është i nevojshëm një Bashkim Evropian më efektiv, i cili i kupton dhe i ndien përgjegjësitë e veta, i cili të na ndihmojë të ruajmë bazën tonë kaq të vlefshme dhe të përgjithshme kulturore”.
Marrë nga BNR. Përgatiti th. m.