Në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij e vuri theksin te hendeku mes pritshmërive të qytetarëve pas Reformës në Drejtësi dhe funksionimit aktual të sistemit, veçanërisht në aspektin e llogaridhënies dhe disiplinës së magjistratëve. Teksa uroi institucionet e drejtësisë për një vit të ri gjyqësor me vendimmarrje të drejta dhe të pavarura, Lamallari theksoi se pavarësia dhe llogaridhënia janë “dy anë të së njëjtës medalje” dhe se besimi publik nuk mund të ndërtohet pa një balancë reale mes tyre.
Në fokus të kritikave të ministrit ishte Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, për të cilin ai deklaroi se nuk po përmbush siç duhet misionin kushtetues për garantimin e standardeve të larta profesionale dhe disiplinore në sistem. “Pavarësia e drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të keqpërdoret si alibi për mosveprim, për zvarritje apo për mungesë përgjegjshmërie”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se ILD është krijuar pikërisht për të ushtruar kontroll dhe për të garantuar disiplinë, jo për të funksionuar si filtër bllokues ndaj ankesave të qytetarëve. Ministri solli të dhëna konkrete që, sipas tij, tregojnë një situatë jo të mirë teksa tha se, gjatë viteve 2023–2025 janë regjistruar 1.374 ankesa pranë ILD-së, ndërsa vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor janë marrë për 25 magjistratë. Kjo do të thotë se më pak se 2% e ankesave të qytetarëve kalojnë filtrin fillestar për hetim disiplinor.
Edhe kërkesat e përcjella nga vetë Ministria e Drejtësisë, sipas Lamallarit, kanë hasur në të njëjtën qasje: nga 12 kërkesa zyrtare për verifikim ose hetim disiplinor gjatë dy viteve të fundit, vetëm një rast ka çuar në fillimin e procedimit disiplinor, dhe kjo mbi bazën e një ankese të paraqitur nga një përfaqësi diplomatike e huaj në Shqipëri.
“Përtej vështirësive në plotësimin e vakancave, nuk ka asnjë arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e inspektimeve proaktive”, theksoi ministri, duke e cilësuar rolin e ILD-së si të pazëvendësueshëm për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë. Lamallari paralajmëroi se mungesa e reflektimit dhe veprimit real nga institucionet e përgjegjshme për disiplinën rrezikon të kthejë pavarësinë e drejtësisë në një koncept formal, të shkëputur nga përgjegjësia ndaj qytetarëve.
Në përfundim, ministri siguroi se Ministria e Drejtësisë do të vijojë të referojë çdo rast shkeljeje të afateve dhe standardeve ligjore pranë ILD-së, duke theksuar se pas një dekade Reformë në Drejtësi, sistemi ndodhet tashmë në fazën e llogaridhënies dhe konsolidimit, ku retorika duhet t’i lërë vendin rezultateve konkrete.
“Pavarësia e drejtësisë merr forcë dhe legjitimohet vetëm nga besimi i publikut”, përfundoi Lamallari, duke e cilësuar vitin e ri gjyqësor si një test maturie dhe përgjegjshmërie për të gjithë sistemin. Lidhur me stokun e dosjeve, Ministri i Drejtësisë veçoi veçanërisht si problematike situatën në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm.
“Nëse për Gjykatën e Lartë konstatojmë progres, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pjesën tjetër të sistemit. Në shumë segmente, veçanërisht në gjykatat e apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura paraqitet alarmant. Në disa raste, më pak se një e dhjeta e çështjeve përfundojnë brenda vitit, çka nuk është vetëm problem kapaciteti, por çështje menaxhimi, prioritetesh dhe vullneti institucional. Nuk mund të flasim për besim publik kur qytetari humbet shpresën për të marrë një vendim brenda një afati të arsyeshëm.
Në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, përqindja e përfundimit të çështjeve penale ra ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit që lamë pas. Për cdo 100 dosje në shqyrtim, vetëm 12 prej tyre u përmbyllën, ndërsa stoku total po shenjon shifrën rreth 19.000! Në çështjet civile dhe administrative, norma e përfundimit në disa gjykata zbret në 5%, duke e kthyer apelimin në një pritje të pafund për qytetarin. Kjo nuk është thjesht statistikë. Është praktikisht mohim i drejtësisë përmes vonesës. Prirja rritëse e stokut shfaqet gjithashtu tek çështjet ende në hetim. Pavarësisht përmirësimeve të pjesshme në përfundimin e çështjeve, ngarkesa strukturore e sistemit të hetimit penal mbetet e lartë, me 23.623 çështje në vitin 2024. Qartësisht, edhe në këtë rast nevojiten masa të qëndrueshme për rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e procedimeve”, deklaroi ministri Lamallari.
Ai foli gjithashtu edhe për nivelin e lartë të paraburgimit në vend. “Paraburgimi duhet të jetë përjashtim dhe jo rregull. Kur ai zëvendëson gjykimin e shpejtë dhe të drejtë, kemi një problem serioz me standardet demokratike. Ky fenomen nuk përputhet me aspiratat e një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Është koha për të ndryshuar kulturën ndëshkuese dhe represive, ku masa e arrestit me burg shihet si zgjidhja më e shpejtë”, tha Lamallari.





