Që prej kërkesës së ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, për shkrirje të Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës në këtë institucion nuk kryhet më asnjë punë dhe qytetarët nuk marrin asnjë shërbim.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, drejtori Artan Lame tha se e gjithë drejtoria është në ristrukturim. Sipas tij tani është procesi i spastrimit nga brenda.

“Faza e parë ishte spostimi nga Durrësi në Rinas për ta nxjerrë nga presioni i lloj lloj faktorësh që ndodhnin atje. Faza e dytë është spastrimi i brendshëm i institucionit që po ndodh. Nëse faza e parë u bë pa zhurmë, se mund të kishim bërë dhe atëherë një show të madh, sepse mjafton që t’ju kujtoj që kur u soll arkivi i Kadastrës së Durrësit në Rinas erdhi e shoqëruar me polici, aq me zarar ishte puna. unë preferoj t’i bëj këto lloj gjërash pa zhurmë, me qetësi.

Faza e dytë është spastrimi dhe faza e tretë sa po hapet, prandaj bujrum, ja sheshi ja mejdani”,- tha Lame.

Drejtori Lame bëri të ditur se që nga dita e nesërme, të interesuarit mund të nisin të aplikojnë për 230 vendet e reja të punës, që po hapen në ASHK, në kuadër të procesit të digjitalizimit të këtij institucioni.

“Që nga dita e nesërme, në faqen zyrtare web të Kadastrës dhe në Facebook, do të gjeni të shpallur thirrjen për këto aplikime. Këto 230 vende të lira, në një fazë të parë do të jenë në Drejtoritë e Tiranës, Durrësit, Kavajës dhe Krujës, për të vijuar më pas edhe në drejtoritë e tjera. Specialitetet kryesore janë juristë dhe inxhinierë.” – tha Lame.