Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare aktori i njohur italian Bud Spencer (Carlo Pedersoli emri i vërtetë), një prej ikonave të kinemasë italiane, i njohur për filmat humoristikë edhe për publikun shqiptar. Por jo të gjithë e dinë që Spencer ka qenë një sportist i shkëlqyer në rininë e tij, pasi karrierën në kinematografi e nisi në moshën 39-vjeçare.

Në moshën 20-vjeçare ishte notari i parë italian që zbriti nën 1 minutë (59”5) në garën e 100 metrave. Ai është shpallur 20 herë kampion i Italisë në not në disa disiplina (stil i lirë, bretkosë dhe flutur).Ai ka marrë pjesë edhe në dy Olimpiada, “Helsinki 1952” dhe “Melburn 1956”, duke praktikuar edhe sportin e vaterpolit. Madje ka qenë pjesë e kombëtares italiane në këtë sport. Përveç dashurisë për garat e notit ai ka praktikuar edhe sportin e regbisë dhe boksit. Dhe për të patur shënjestër në filmat e ndryshme “western” si aktor, ka praktikuar edhe sportin e qitjes.

“Besoj se i kam praktikuar të gjitha sported”, ka thënë Bud Spencer në një intervistë një vit më parë. Në Olimpiadë ai ka garuar në dy sporte, not dhe vateropol, asokohe e lejueshme.