“Jam duke shkuar në qiell dhe që nga lart do t’ju ndihmoj. Faleminderit për gjithçka që keni bërë për mua”.Këto janë fjalët e fundit të Gloria Trevisan, 27-vjeçarja italiane, e cila ndodhej me të dashurin në ndërtesën e tmerrshme Grenfell Tower, që mori flakë në Londër.

Kështu ka thënë vajza e re në telefonatën e fundit që zhvilloi me nënën e saj në momentin që ndërtesa ishte përfshirë nga flakët.
“Ndoshta ka dashur të na thotë lamtumirë, nuk ka më shpresa që Gloria dhe Marco të jenë ende gjallë”–ka thënë avokati i familjes Trevisan.

Gjithashtu edhe të atit të Markos i ka ardhur një mesazh zanor nga djali i tij pas rënies së zjarrit në ndërtesë. Ai nuk ka preferuar të tregojë fjalët që i ka thënë i biri, i cili e dinte që nuk do të dilte gjallë nga ajo ndërtesë.

“Ishin fjalë që të copëtonin zemrën por nuk dua të them se çfarë më tha”- ka thënë babai i Marco-s. Çifti italian, të dy 27 vjeç prej tre muajsh ishin zhvendosur në Londër ku punonin si arkitektë.

Numri i të vdekurve që përfshiu ndërtesën në Londër ka shkuar në 30. Ndërkohë, autoritetet konfirmojnë se numri i personave të zhdukur është 76, ndërsa vijon puna për kërkimin e për gjetjen e tyre.

Sakaq mediiat angleze shkruajnë se policia paralajmëroi se disa prej viktimave të mbetura në katet e pallatit të djegur në Londër mund të mos identifikohen kurrë.