Durrësi, por dhe gjithë bota e sportit, do t’i japin nesër lamtumirën për në banesën e fundit, Sulejman Maliqatit, portierit legjendar të kombëtares shqiptare.
Homazhet për 94-vjeçarin që mbylli sytë pasditen e kësaj të mërkure do të zhvillohen në hollin e Pallatit të Kulturës në Durrës në orën 13.00-15.00.
Kortezhi mortor do të niset në orën 15.00 drejt varrezave të reja të qytetit, ndërkohë që pritet që qindra qytetarë t’i bashkohen homazheve për “macen e zezë” të portës së kombëtares shqiptare, që lindi më 1 gusht 1928 në qytetin e Kavajës.
Dy vite më parë, Maliqati u nderua nga presidenti Meta me titullin e lartë “Nderi i kombit”, ndërkohë që për kontributin e dhënë ndër vite në sportin e futbollit portieri legjendar është nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Kavajës dhe “Mjeshtër i merituar i sportit”.





