Duartrokitje, dhe lule të bardha janë hedhur mbi arkëmortin i cili dërgonte për në banesën e fundit trupin e 31-vjeçares Adelajda Xhamani. Së bashku me trëndafilat e bardhë që karakterizojnë jetën e saj të shkurtër e shpirtin e çiltër, edhe një tufë me lot kanë derdhur pa përjashtim të gjithë.

Në këtë mënyrë qindra qytetarë të Kavajës, kolegë të saj, miq e bashkëpuntorë të ngushtë, i kanë dhënë lamtumirën Adelajdës, vajzës dhe gazetares nga Kavaja e cila u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme një ditë më parë.

Homazhet për nder të saj janë zhvilluar në kinemanë “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Kavajës, ku ngushëllimet janë pritur prej 2 prindërve e familjarëve të gazetares 31-vjeçare. Qytetarët e Kavajës, e miqtë e shumtë ju drejtuan homazheve me kurora e tufa me lule prej orës 12:00.   

Ervin Kurti, Dorina Mema, Eraldo Rexho, Fatmira Nikolli etj ishin miqtë e saj të ngushtë, me të cilët kishte patur edhe kontaktet e fundit para se të ndërronte jetë si pasojë e arrestit kardiak në apartamentin e saj ku qëndronte në Tiranë.  

Adelajda kishte një projekt të ri në televizionin më të ri Fax News. Deri pak kohë më parë ishte pjesë e stafit të News 24 dhe e Gazetës Shqiptare,  në emisionin e mëngjesit.

Humbja e jetës në mënyrë të parakohshme ka bërë që kolegët e saj të sjellin kujtimet më të mira për të. Në kavajë në qytetin e lindjes janë kthyer edhe Neda Balluku, e cila një vit pas Adelajdës mori pjesë në Big Brother. Sot Neda ka një dedikim për bashkëqyetaren e saj të mirë.     

Në orën 14:00 trupi i Adelajda Xhamanit u përcoll për në banesën e fundit duke lënë pas mesazhin se një vajzë nga periferia, mund t’ja dalë, duke thyer mentalitetin e bashkëqytetarëve të saj për të ndjekur ëndrrat dhe jetën. 

Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme në moshën 31-vjeçare krejt papritur ka shkaktuar dhimbje tek të gjthë ata që e njohën në jetën reale, apo vetëm nëpërmjet televizionit, pjesëmarrjes së saj në Big Brother ku fitoi zemrat e shumë qyterëve, apo edhe në punën e saj të përditshme në median vizive dhe atë të shkruar.