Mbrëmjen e së premtes është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare shkrimtari, publicisti dhe skenaristi i njohur Kiço Blushi. Figura të njohura të politikës shqiptare, kanë shprehur mesazhe ngushëllimi.

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një postim në Facebook, shkruan se letrat e vendit humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të tyre.

"Ndahet nga jeta shkrimtari dhe publicisti i njohur Kiço Blushi!

Te dashur miq, letrat e vendit humben njerin prej personaliteteve te shquara te tyre, shkrimtarin, publicistin, skenaristin e njohur Kiço Blushi.

Ne veprimtarine e tij krijuese gjate diktatures komuniste ai beri perpjekje serioze per tu shkeputur nga rryma e antivlerave te realizmit socialist.

Kiço Blushi ishte gjithashtu qe ne fillimet e pluralizmit nje personalitet ne jeten politike, i angazhuar ne radhet e te majtes se vendit si deputet i saj ne disa legjislatura por edhe ne detyra te tjera.

Me kete rast shpreh ngushellimet me te sinqerta familjes, miqve dhe te afermve dhe lutem Zotit qe shpirti i tij te gjej paqen e merituar! Sb"

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu vlerësimet e tij të larta për Bushin, një personalitet i  kulturës shqiptare.

"Kiço Blushi ishte shkrimtari, dhe intelektuali i angazhuar për një Shqipëri më të mirë dhe për të ndryshuar jetët e të gjithëve. Krijimtaria e shkrimtarit dhe artistit Kiço Blushit është shndërruar në pasuri të jetës së brezave të shqiptarëve. Kiço Blushi ishte deputeti dhe kolegu ynë në kohë të vështira dhe i dha fisnikëri Kuvendit të Shqipërisë. Kiço Blushi ishte miku i të gjithëve dhe do na mungojë të gjithëve."

Presidenti Ilir Meta, në një postim në Facebook, e cilëson shkrimtarin e njohur si nga përfaqësuesit më të denjë të “Brezit 1970” me role të rëndësishme publike dhe qytetare.

"I pikëlluar prej lajmit të trishtë, ndaj me Mirën, Benin dhe Martinin, por edhe me të gjithë miqtë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, dhimbjen e thellë për humbjen e shkrimtarit të shquar, krijuesit dhe veprimtarit publik, Kiço Blushi.

Ai do të mbetet përherë në kujtesën tonë si një nga përfaqësuesit më të denjë të "Brezit 1970": prozator, kineast, publicist dhe botues.

Kiço Blushi luajti role të rëndësishme publike dhe qytetare në momente kyç të historisë shqiptare, me angazhimin e tij të pabujë dhe fisnik.

I qoftë i përjetshëm nderimi ynë!"

Ndërsa kryeministri Edi Rama shkruan në Facebook se, Blushi ishte nga ata shkrimtarë që qëndroi drejt edhe kur përballë i frynë erëra të forta, të cilin do ta kujtojë si artistin sqimatar dhe ironik që gjykoi mprehtë e pa gajle gjithkënd.

"IN MEMORIAM

Kiço Blushi ishte një ndër ata personazhe të jetës artistike, letrare e shoqërore po ashtu, që dinë të qëndrojnë drejt edhe kur fryjnë erëra të forta përballë, po edhe kur erërat që të çojnë artificialisht përpara të kërrusin sidoqoftë.

Sqimatar dhe ironik, Kiçua do të më kujtohet gjithnjë me atë gjysmëqeshjen e tij kur hapnim një temë dhe thikën e mprehtë të gjykimeve pa gajle, për këdo e gjithkënd.

I paharruar qoftë kujtimi yt i dashur mik!"