TIRANË,27 gusht 2013 – Shirat që kanë nisur mesditën e sotme, duket se paralajmërojnë dhe fundin e verës. Stuhi shiu kanë përfshirë gjithë vendin duke shkaktuar probleme në disa qytete. 

Moti në vend është shoqëruar me re dhe shira lokalë gjatë ditës së sotme, ndërkohë që edhe vlerat e temperaturave të ajrit kanë shënuar një ulje të lehtë. Dita e sotme do të karakterizohet nga temperatura që nuk do t’i kalojnë vlerat e 32 gradëve, ndërkohë që vlerat e ulëta të ajrit pritet të luhaten në 15 dhe 21 gradë celcius, bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak. 
Moti parashikohet të jetë me re dhe diell në Berat, Vlorë, Sarandë, Korçë, Gjirokastër e Durrës, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje lokale. 
Sakaq, ditën e nesërme vendi do të ndikohet nga masa ajrore mesdhetare të paqëndrueshme, sipas parashikimit të Shërbimit Metereologjik Ushtarak. Moti me vranësira mesatare deri në të dendura do të shoqërojë ditën e nesërme, ndërkohë që do të ketë reshje shiu edhe në formë shtrëngatash gati në të gjithë vendin. Era do të jetë me drejtim Jugperëndim-Perëndim, me shpejtësi deri në 8m/sek. Ndërsa valëzimi në det do të jetë i forcës 3, me lartësi vale deri në 1.0 metra. Temperaturat do të shënojnë rënie në mesditë. Temperaturat e ajrit parashikohen të jenë në vendet malore 13/27, në vendet e ulta, 17/31, dhe në bregdet, 20/31.
DURRËS 
Reshjet e para të shiut kanë shkaktuar jo pak probleme në qytetin e Durrësit, ku në disa zona ato kanë arritur në rreh 40 centimetra. 

Më problematike paraqitet zona pranë stadiumit dhe sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, që raportohet se reshjet e shiut me intesitet të lartë kanë shkaktuar problem në qarkullimin e mjeteve. 
Gazetarja Koldiana Haxhiraj raporton se situata problematike është krijuar nga mosfunksionimi i kanalizimeve. Pusetat kanë shpërthyer dhe shumica e zonave të Durrësit ndodhet nën ujë. 
Nga ana tjetër, Ndërmarrja e Ujjësjellës Kanalizimeve në Durrës ka njoftuar se si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, hidrovori i grumbullimit të ujërave ka ndaluar punën. Në këto kushte është e pamundur shkarkimi i ujërave të qytetit. 


PREFEKTI: PËRMBYTJET, U NDËRPRE ENERGJIA NË HIDROVORIN E PORTO ROMANOS 
Në lidhje me përmbytjet në qytetin e Durrësit ka reaguar edhe Prefekti i këtij qyteti, Genci Juka. Sipas tij shkak për përmbytjet është bërë mos funksionimi i hidroforit të Porto Romanos i cili bën edhe shkarkimet në det. 

Ky hidrofor, sipas Jukës nuk punon, si pasojë e ndërprerjes së energjisë në të. 
Prefekti shprehet se në një nga shtyllat elektrike të hidrovorit ka shkarkuar një rrufe, duke sjellë më pas ndërprerjëen e energjisë dhe mosfunksionimn e tij. Mësohet ndërkaq, se grupe të CEZ ndodhen në terren për riparimin e defektit në hidrovor. 

/BalkanWeb/