Në varrezat e Koçanit, dhimbja dhe trishtimi mbizotëruan gjatë ceremonisë mortore për 31 viktimat e zjarrit tragjik. Të pranishëm ishin familjarë, të afërm, miq dhe qytetarë nga i gjithë vendi, ndërsa shërbesa fetare u krye nga Kryepeshkopi Stefan i Kishës Ortodokse Maqedonase, bashkë me anëtarë të Sinodit.

Të rinj të shumtë erdhën të veshur me bluza të zeza me mbishkrimin: “U prehni në paqe, engjëjt tanë”. Arkivolet me trupat e viktimave u vendosën në vendin e varrimit mes një heshtjeje të rëndë, që herë pas here thyhej nga të qarat e familjarëve.

Ndërkohë, homazhe në nder të viktimave u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë kryeqytetin Shkup, ku qytetarët ndezën qirinj në sheshin qendror “Maqedonia”.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i viktimave ka arritur në 59, me moshat e tyre nga 16 deri në 48 vjeç. Gjashtë prej tyre ishin adoleshentë 16 dhe 17 vjeç, ndërsa shumica ishin mes 24 dhe 26 vjeç.

Mes viktimave ishte edhe këngëtari i njohur i grupit DNK, Andrej Gjorgjevski, i cili u varros mëngjesin e sotëm në varrezat e qytetit në Butel, Shkup.

Nga zjarri katastrofik u plagosën rreth 200 persona, dhjetëra prej të cilëve pësuan djegie të rënda. Rreth 100 pacientë po trajtohen jashtë vendit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se të gjithë të plagosurit janë në gjendje stabile dhe daljet e para nga spitali do të fillojnë nesër.